Fontana di Trevi ndodhet në zonën historike të Romës dhe është një nga atraksionet më të njohura të Italisë. Ketë shatërvan e vizitojnë më shumë se 21 milionë turistë çdo vit duke e bërë atë një nga pikat më të vizituara në Itali.
Ky është shatërvani më i madh barok në Romë. Ndërtimi tij daton në shekullin e 18-të pas Krishtit. Ai ka diametrat prej 25.9 metra lartësi dhe 49 metra gjerësi. Shatërvani është projektuar nga arkitekti italian Nicola Salvi dhe është përfunduar nga Pietro Brazzi në vitet 1732-1762.
Emri i shatërvanit (Trevi ose Tre vie), do të thotë “tre rrugë” pasi është kryqëzimi i tre rrugëve të lashta romake.
Pikerisht vendi i monumentit ishte fundi i ujësjellësit Aqua Vigo të Romës, i cili së bashku me dhjetëra të tjerë, furnizonin qytetin me ujë për më shumë se katër shekuj.
Ky shatervan kaq i veçantë ka një aftësi të pazakontë për të magjepsur vizitorët nga e gjithë bota, duke i bërë ata të dashurohen me Romën.
Por si lindi tradita e hedhjes së monedhave në këtë shatervan?
Shumë njerëz thonë se ky zakon i veçantë filloj të ndodhte pas shfaqjes së komedisë romantike të vitit 1954 “Tre monedha në shatërvan”, ku Frank Sinatra interpreton këngën e titullit në film.
Në këtë vend u gjirua edhe një skenë nga “La Dolce Vita” e Federico Fellini-t (1960), me Anita Eckberg ku ajo futej në shatërvan në mesnatë, duke ftuar Marcello Mastroianni-n ta ndiqte atë. Por disa fakte të tjera tregojnë se ky ritual i veçantë kishte filluar para shfaqjes së dy filmave.
Por çfarë ndodh nëse dikush hedh një monedhë brenda shatërvanit?
Sipas legjendës hedhja e monedhës bën që të keni fat dhe pritet të ktheheni në të ardhmen në “Qytetin e Përjetshëm”, siç quhet ndryshe Roma. Me hedhjen e dy monedhave, mund të dashuroheni me një italian/e të bukur, ndërsa me tre monedha ekziston mundësia e martesës me personin që takon.
Por për çiftet, që vizitojnë Romën për muaj mjalti, janë të kënaqur me opsionin e parë. Pranë shatërvanit ka tabela që paralajmërojnë turistët se ndalohet futja në ujë, por edhe marrja e monedhave.
Por ka një ritual që duhet ndjekur për të hedhur e monedhat: Sipas traditës, vizitorët qëndrojnë me shpinë pas monumentit dhe e hedhin monedhën në ujë me dorën e djathtë, nga ana e shpatullës së majtë. Por duke qenë se është një vend shumë i frekuentuar nga turistët kjo bën që të ketë një numer të madh njerëzish në të njëjten kohë, prandaj do të ishte mirë të zgjidhnit ta vizitonit në orët e hershme të mëngjesit ose natën vonë, pasi ndriçimi i tij është i mahnitshëm.
Por si mblidhen monedhat e hedhura nga vizitorët?
Punëtorët që i përkasin Agjencisë Komunale të Energjisë Elektrike dhe Ujësjellësit kanë për detyrë të mbledhin monedhat nga shatërvani dy herë në javë, ndërsa uji hiqet plotësisht dy herë në muaj për të pastruar shatervanin. Punëtorët e bashkisë përdorin fshesa për të krijuar grumbujt e monedhave në të dy anët e shatërvanit.
Më pas ata i terheqin monedhat me një zorre thithëse fleksibël në prani të policisë. Këto monedha dërgohen në zyrat e organizatës ndërkombëtare bamirëse Caritas, e cila është pjesë e Kishës Katolike. Pas dergimit atje punëtorët e Caritas-it i hedhin monedhat në një tavolinë të madhe për t’i tharë me “tharëse flokësh” në mënyrë që të fillojë renditja dhe numërimi i tyre.
Por sa para mblidhen çdo vit nga shatërvani?
Në bazë të disa llogaritjeve rezultoj se në vitin 2022 Caritas ka mbledhur 1.4 milionë euro nga shatërvani, por besohet se kjo shumë është më e madhe në vitin 2023.
Këto para përdoren për të mbështetur lagjet më të pazhvilluara të qytetit. Ku shperndahen ushqime për personat në nevojë, ndërsa financohen edhe struktura strehuese dhe sociale për të pastrehët.
Përveç kësaj, “supermarketi social” i Caritas i njohur si Emporium funksionon pranë stacionit qendror të Romës, duke ofruar ushqim për qytetarët në nevojë.