Në mungesë të një monedhe zyrtare në Shqipëri deri në mesin e viteve ’20, taksat paguheshin me mallera në vend të parave, ndryshe nga vendet e tjera të botës. Por me krijimin e bankës kombëtare si dhe hedhjen në treg të monedhës së parë shqiptare, lekut, filloj që taskat të paguheshin me para dhe jo me mall sikur më parë.
Kjo gjë bëri që të futej në zbatim një rregullore e re e mbledhjes së taksave ku ishte adoptuar nga modelet e vendeve europiane. Ky legjislacion bazohej kryesisht në modelin italian dhe atë francez.
Inspektori i Ministrisë së Brendshme, Teki Selenica i përmblodhi të gjitha ligjet dhe i botoi në vitin 1928. Aty kishte edhe shpjegimet përkatëse, me qëllim lehtësimin e punës për nëpunësit e shtetit dhe tregtarët. Libri “Bashkitë e Shqipërisë, që përmbante të gjitha ligjet e miratuara, ju shpërnda të gjitha bashkive të vendit.
Në atë kohë bashkitë i siguronin të ardhurat nga 40 lloje taksash të ndryshme.
Por në këtë larmi të madhe taksash, kishte dhe disa lloje që për ditët e sotme mund të konsiderohen si ‘të pazakonta’. Ja disa nga ato:
Taksa e luksit për qentë
Per qentë që mbaheshin për qejf dhe jo si rojtarë, paguhej një taksë 10 franga ari në vit. Kurse për qentë që përdoreshin për gjueti paguhej taksë prej 5 franga ari. Nga kjo taksë përjashtoheshin qentë e rojeve dhe të çobanëve. Çdo vit bëhej regjistrimi i qenve që mbaheshin për luks dhe bëhej një raport nga nëpunësi i posaçëm i bashkisë.
Taksa e regjistrimit të garsonave
Në ligjin për financat e bashkive, neni 36, thuhej që bashkitë të merrnin taksën e shegertëve (çirak) e garsonëve pra (kamarierëve) në fillimin te çdo muaji.
Bashkia një muaj para se të fillonte viti i ri bënte shpalljen dhe lajmëronte të gjithë shegertët e kamarierët që të prezantoheshin në bashki ku të regjistroheshin.
Pastaj përgatitej një regjistër ku shënohej emri dhe mbiemri i shegertit, mosha, vendi i lindjes dhe emri e mbiemri i zotërisë ku shërbente. Taksa varionte nga 1-5 franga ari. Kur paguhej taksa, bashkia lëshonte një librezë të veçantë. Nëse autoritetet kontrollonin lokalet dhe gjenin një shërbyes pa librezë, i ndalonte ata dhe i vendoste gjobë. Policët bashkiakë dhe ata qeveritarë kishin të drejtë në çdo kohë që të kërkonin librezën.
Taksa e gjakut
Ishte një taksë që paguhej për çdo therje bagëtie. Taksa varionte nga 1 deri në 5 franga ari për çdo krere të therur në ambientet e posaçme të krijuara nga bashkia për këtë qëllim.
Për kurbatë që thereshin për Bajram, Krishtlindje apo Pashkë, nuk paguhej taksë gjaku.
Taksa për trotuarët që rregulloheshin nga bashkia
Në ligjin për financat e bashkive parashikohej detyrimi që pronarët e ndërtesave ose trojeve që ndodheshin përbri trotuareve, të paguanin gjysmën e shpenzimeve. Taksa merrej në këtë mënyrë. Kur rregullohej një trotuar, nëpunësit teknikë të bashkisë përgatisnin një regjistër. Shënohej emri dhe mbiemrin i atyre që kishin truallin apo godinën dhe mbi bazën e fasadës që kishin përballë trotuarit të rregulluar, caktohej edhe detyrimi që duhej paguar.
Taksa 5 % mbi shpenzimet e hoteleve
Të gjithë hotelet, për çdo klient, detyroheshin të paguanin një tarifë 5 % të shpenzimeve totale që klienti kishte bërë.
Taksa e ndriçimit
Taksa e ndriçimit merrej në bazë të gjysmës së taksës së pastrimit. Kjo taksë merrej vetëm në ato godina që ndodheshin në rrugët e ndriçuara nga bashkia.
Taksa e tabelës
Të gjitha dyqanet ishin të detyruar që të varnin tabelë në gjuhën shqipe para derës së tyre. Ajo duhej të përbante emrin e pronarit dhe llojin e punës. Për tabelat, merrej një taksë 1-10 franga ari në vit. Kjo në varësi të rrugës në të cilën ndodhej. Ata që dëshironin që të shkruanin edhe në një gjuhë të huaj tabelën, paguanin dyfishin e taksës që paguhej për tabelën shqip.