8 Marsi u shënua si Dita e Gruas nga Kombet e Bashkuara në vitin 1975 dhe u njoh zyrtarisht si e tillë dy vjet më vonë. Ndërsa vendet anembanë botës e kanë festuar që atëherë këtë ditë, rrënjët e saj shkojnë shumë më larg.
Faqja zyrtare e OKB-së thotë se Dita e parë Kombëtare e Gruas u shënua për herë të parë në Shtetet e Bashkuara më 28 shkurt të vitit 1909. Partia Socialiste e Amerikës e caktoi këtë ditë për nder të “grevës së punëtorëve të tekstileve të vitit 1908 në Nju Jork, ku gratë protestuan për kushtet e këqija të punës.” Rreth 15,000 gra marshuan në qytet atë ditë për orë më të shkurtra pune, paga më të mira dhe të drejten e votës.
Për shumë vite me rradhe pas kësaj proteste, e diela e fundit e shkurtit do të shënohej si Dita e Gruas.
Por këto nuk ishin ngjarje të izoluara, ato erdhën mes asaj që tani shihet si vala e parë e Feminizmit. Për më tepër, disa kritikë besojnë se fokusi në këtë ngjarje i lë në hije nismat e ngjashme të bëra në vendet e dikurshme sovjetike dhe komuniste.
Feminizmi i hershëm në SHBA dhe Evropë
Protestës së Nju Jorkut i paraprinë shumë ngjarje që shënuan një ndryshim në luftën për të drejtat e grave. Feminizmi i valës së Parë (nga mesi i shekullit të 19-të deri në vitet 1920) pa fushatat e para për barazi në aspektin e të drejtave të votës, pagave dhe çështjeve të tjera themelore në Perëndim.
Që në vitin 1848, amerikanet Elizabeth Cady Stanton dhe Lucretia Mott organizuan konventën e parë për të drejtat e grave në Nju Jork, pasi atyre iu mohua mundësia për të folur në një konventë kundër skllavërisë.
Mott ishte një luftëtare e vendosur kundër skllavërisë, ndërsa Stanton ishte një feministe e njohur më vete. Në fjalimin e saj të vitit 1892 të titulluar “Vetmia e vetvetes”, ajo parashtroi arsye pse gratë meritonin të kishin të drejta të barabarta:
“Arsyeja më e fortë për t’i dhënë gruas të gjitha mundësitë për arsim të lartë, për zhvillimin e plotë të saj… është vetmia dhe përgjegjësia personale e jetës së saj individuale.”
Edhe në Evropë, lëvizjet socialiste feministe kishin filluar të merrnin formë.
Në vitin 1910 u mbajt një Konferencë e dytë Ndërkombëtare e Grave Punëtore në Kopenhagën. Një grua e quajtur Clara Zetkin (Udhëheqëse e ‘Zyrës së Grave’ për Partinë Social Demokrate në Gjermani) shtroi idenë e një Dite Ndërkombëtare të Gruas. Ajo propozoi që çdo vit në çdo vend të ketë një festë në të njëjtën ditë – Ditën e Gruas – për të kërkuar kërkesat e tyre.”
Zetkin ishte një folëse e vlerësuar mirë, e cila e shihte lëvizjen e punëtorëve si të vetmen mënyrë që gratë të kishin të drejtat e tyre. The Guardian vuri në dukje në se ajo ishte një makrsiste dhe e quajti atë “gjyshja e komunizmit”.
Me mbi 100 gra nga 17 vende të pranishëm në konferencë, sugjerimi i saj u pranua. Në vitin 1911, më shumë se “një milion gra dhe burra morën pjesë në mitingjet e IWD-së duke bërë fushatë për të drejtat e grave për të punuar, votuar, trajnuar, për të mbajtur poste publike dhe për t’i dhënë fund diskriminimit” në vendet anembanë Evropës. Kështu, pati një njohje në rritje për të pasur një ditë përkujtimore.
Pse 8 Marsi?
Pasi vëzhguan ditën e fundit të IWD të dielën e fundit të shkurtit për shumë vite, një e diel e tillë ra më 23 shkurt te vitit 1917. Në këtë ditë, gratë ruse kryesuan protestat kundër Luftës së Parë Botërore në vazhdim (1914-1918) dhe mungesave ekzistuese të ushqimit dhe gjërave të tjera të domosdoshme nën regjimin e Car Nikollës.
Historiania dhe aktivistja Rochelle Ruthchild e Qendrës Davis për Studimet Ruse dhe Euroaziatike të Harvardit tha për Time Magazine se si këto protesta ishin unike: “Gratë ishin kryesisht ato që ishin në vijën e bukës dhe ishin protestuesit kryesorë,” tha ajo.
Ajo shtoi, “Në fakt, revolucionarë meshkuj si [Leon] Trotsky ishin të mërzitur me ta, pasi këto gra të pabindura dhe të pahijshme po dilnin në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas, kur duhej të prisnin deri në maj”, që është dita e Punëtorëve.
Protestat do të ndihmonin gjithashtu në nxitjen e opinionit publik kundër monarkisë dhe vetëm pak ditë më vonë, Revolucioni Rus hoqi carët dhe u krijua një shtet komunist. Gratë gjithashtu fituan të drejtën e votës në Rusi atë vit, ndërsa gratë e bardha amerikane e fituan atë në vitin 1920. Gratë me ngjyrë u përballën me pengesa dhe do të mund të votonin vetëm pasi të miratohej Akti i të Drejtave të Votimit të vitit 1965.
Ndërsa ajo ditë proteste ishte 23 shkurti sipas kalendarit Julian, atëherë në përdorim në Rusi, data ishte 8 Marsi sipas kalendarit Gregorian, i cili u pranua shumë më gjerësisht. Kështu dita u bë pikë referimi globale dhe mitingjet filluan të mbaheshin në atë ditë në shumë vende.
Në vitin 2011, administrata e Barack Obamës vendosi gjithashtu të shpallë marsin si “Muaji i Historisë së Grave”.
“Këtë vit, ne përkujtojmë 100 vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, një festë globale e arritjeve ekonomike, politike dhe sociale të grave në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Dita Ndërkombëtare e Gruas është një shans për t’i bërë homazhe grave të zakonshme në mbarë botën dhe i ka rrënjët në luftën shekullore të grave për të marrë pjesë në shoqëri në baza të barabarta me burrat. Kjo ditë na kujton se, ndërkohë që është bërë përparim i madh, ka ende punë për të bërë përpara se gratë të arrijnë barazinë e vërtetë, “tha presidenti i atëhershëm i SHBA në një deklaratë.
Bota ka dëshmuar një ndryshim të rëndësishëm qëndrimi në mendimet e grave dhe të shoqërisë për barazinë dhe emancipimin e grave. Shumë nga një brez i ri mund të mendojnë se të gjitha betejat janë fituar për gratë, ndërsa shumë feministe nga vitet 1970 e më tej e dinë shumë mirë jetëgjatësinë dhe kompleksitetin e rrënjosur të patriarkatit.
Me më shumë gra në parlament, barazi më të madhe në të drejtat legjislative dhe një masë kritike të shtuar të dukshmërisë së grave si modele mbresëlënëse në çdo aspekt të jetës, mund të mendohet se gratë kanë fituar barazi të vërtetë. IWD është një festë zyrtare në shumë vende duke përfshirë edhe vende qe jane dikatoriale dhe me te drejta te cunguara. Tradita i sheh burrat të nderojnë nënat, gratë, të dashurat, kolegët, etj me lule dhe dhurata të vogla. Në disa vende, IWD ka statusin ekuivalent të Ditës së Nënës, ku fëmijët u japin dhurata të vogla nënave dhe gjysheve të tyre.